Këndvështrimi im nga Mitrovica për dialogun

Forentina Hajdari-Hajra

Dialogu  teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë ka fillur në vitin 2011 dhe ka rezultuar me 33 marrëveshje. Këto marrëveshje kanë prekur sfera të ndryshme të jetës së qytetarëve sic janë: liria e lëvizjes, regjistrat civil, regjistrat kadastral, doganat, qeverisja lokale në veri, njohja e diplomave, bashkëpunimi rajonal, energjia, telekomunikacioni, drejtësia, etj. Përmisimi i jetës së qytetarëve dhe bashkëpunimi mes tyre ka qenë një prej prioriteteve kyçe të dialogut.

Për fat të keq, procesi i dialogut është politizuar tej mase sa që ndikimi i tij pozitiv në jetën e qytetarëve është lënë anash në tërësi. Diskursi politik ka formësuar opinion e qytetarëve për dialogun duke i dhënë një kahe tejet negative. Mungesa e zbatimit apo zbatimi i ngadalshëm i disa marrëveshjeve ka ndikuar në këtë diskurs. Ndërsa, diskutimi për marrëveshjet e zbatuara dhe ndikimin e tyre në jetesën e qytetarëve ka zënë vend të pakët në këtë diskurs.

Një reflektim më i gjerë nga perspektiva e qytetarëve do të na ndihmonte realisht të kuptojmë më mirë ndikimin e marrëveshjeve tek qytetarët. Unë do të hedhë një vështrim mbi zbatimin e këtyre marrëveshjeve duke u bazuar në përvojën time personale dhe personave të tjerë që i njoh në jetën e përditshme publike dhe atë private.

Jetoj në Mitrovicë dhe jam e angazhuar si ndërmjetësuese në Qendrën për Ndërmjetësim në Mitrovicë. Kjo qendër është e licencuar nga Ministria e Drejtësisë me qëllim të lehtësimit të qasjes në drejtësi përmes ndërmjetësimit, si dhe inkurajimit për komunikim dhe mirëkuptim reciprok në mes komuniteteve. Rastet të cilat trajtohen në këtë qendër janë rastet gjyqësore dhe prokuroriale. Në qendër marrin shërbime pjesëtarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në rajonin e Mitrovicës. Rastet referohen nga organet përkatëse të drejtësisë.

Marrëveshja e Brukselit ka mundësuar një integrim të tillë të gjyqësorit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti serb. Unë së bashku me kolegët e tjerë serbë dhe shqiptarë ndërmjetësojmë rastet e referuara nga gjyqtarët dhe prokurorët, duke përfshirë rastet e konfliktit në mes të pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme. Ka shembuj nga praktika e përditshme që rastet nga komuniteti shqiptar janë trajtuar nga gjyqtarë të komunitetit serb dhe më pas janë referuar në qendrën tonë të ndërmjetësimit. Kujtoj rastin kur disa të rinjë të komunitetit shqiptarë dhe komunitetit serbë janë përleshur në veri të Mitrovicës. Prokuroria në Mitrovicë ka shqyrtuar këtë rast dhe më pas e ka referuar në Qendrën për Ndërmjetësim, ku ndërmjetësuesit kanë ndihmuar në zgjidhjen dhe përmbylljen e këtij konflikti.

Para se të arrihej marrëveshja për drejtësinë, gjyqtarët dhe prokurorët nga komuniteti serb operonin në kuadër të sistemit të Serbisë. Ata trajtonin rastet civile në zyret apo apartamentet e tyre. Ndërsa, prokurorët nuk mund të dëgjonin rastet kriminale dhe nuk lejoheshin të bashkëpunonin me Policinë e Kosovës.

Prej vitit 2008 deri në vitin 2017 kur ka filluar zbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, Gjykata Themelore e Mitrovicës operonte në ndërtesën e gjyaktës në Vushtrri. Njësia për Auditim të Brendshëm e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kishte vlerësuar se ndërtesa e gjykatës nuk kishte kushte të pranueshme për trajtimin e rasteve dhe mbajtjen e gjykimeve. Për shkak të hapsirës së kufizuar në këtë gjykatë, numri i stafit të kësaj gjykate ka qenë tejet i vogël. Rrjedhimisht, nuk ka qenë e mundur të shqyrtohen të gjitha rastet e ngritura në këtë gjykatë. Rastet vjetërsoheshin dhe parashkruheshin. Kishte numër të konsiderueshëm të rasteve të cilat i ngritnin inspektorët për shkelje të ndryshme nga ana e bizneseve, mirëpo kjo gjykatë nuk arrinte t’i shqyrtonte në afatet e parapara me ligj për shkak të kufizimeve të lartpërmendura. Kjo ndikonte negativisht dhe drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe krijimin e një klime ku sundimi i ligjit nuk funksiononte dhe shkelësit e ligjit nuk ndëshkoheshin.

Lokacioni i dikurshëm i Gjykatës Thelemore të Mitrovicës në Vushtrri kishte vështirësuar qasjen e qytetarëve të Rajonit të Mitrovicës në këtë gjykatë për shkak të distancës gjeografike. Udhëtimet e tilla gjithsesi kanë rënduar buxhetin familjar të qytetarëve dhe kanë shkaktuar humbje kohe.

Komuna e Vushtrrisë së bashku me Komunën e Skënderajt shtrihen në jug të Rajonit të Mitrovicës, Komuna e Zveçanit dhe Zubin Potokut në veriperendim, Komuna e Leposaviqit në veri, dhe Komuna e Mitrovicës Veriore dhe Komuna e Mitrovicës Jugore shtrihen në qendër të këtij rajoni. Për të arritur tek  gjykata në Vushtrri, qytetarët është dashur të udhëtonin rreth 12 kilometra nga Mitrovica, 45 kilometra nga Leposaviqi, 30 kilometra nga Zubin Potoku, 17 kilometra nga Zveçani, dhe 21 kilometra nga Skënderaj.

Marrëveshja për drejtësinë ka mundësuar një integrim të tillë të komuniteteve si në aspektin e ofrimit të shërbimeve, ashtu edhe në aspektin e marrjes së shërbimeve ligjore. Përveç kësaj, kjo marrëveshje ka mundësuar funksionalizimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë në objektin e saj paraprak në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe në një objekt tjetër shtesë në pjesën jugore të këtij qyteti, si dhe integrimin e të gjitha srukturave gjyqësore në veri në kuadër të Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Marrëveshja përcakton ekzistimin e vetëm një prokurorie dhe gjykate themelore në rajonin e Mitrovicës, degët e së  cilave përfshijnë ofrimin e shërbimeve për shtatë komuna: Mitrovicën Jugore, Mitrovicën Veriore, Zveçanin, Zubin Potokun, Leposaviqin, Vushtrrinë dhe Skënderajn. Funksionimi i institucioneve të drejtësisë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe përbërjen e stafit të tyre nga pjesëtarë të komunitetit shqiptarë dhe serbë eshtë specifikuar poashtu në marrëveshje.  

Me rikthimin e gjykatës në Mitrovicë dhe me ngritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke përfshirë edhe integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të komunitetit serb, numri i trajtimit të lëndëve është rritur.

Përveç vështirësive në sektorin e drejtësisë, probleme madhore kishte edhe në sektore të tjera të cilat kanë penguar bashkëpunimin në sfera të ndryshme. Përvoja të tilla kam nga e kaluara gjatë realizimit të projekteve të ndryshme për qeverisje të mirë, gjithpërfshirje të qytetarëve në bërjen e politikave publike, qasje të barabartë në drejtësi, të drejta të njeriut etj. në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Në këto komuna kanë ekzistuar autoritete të ndryshme me kompetenca të njëjta apo të ngjashme në qeverisje lokale sic janë: Zyra e UNMIK-ut, komunat paralele, Ekipi Përgatitor i Veriut dhe Komuna e Mitrovicës e vendosur në jug. Kjo përzierje e kompetencave në qeverisje lokale ka shkaktuar shumë vështirësi gjatë realizimit të këtyre projekteve. Kur ne si organizata të shoqërisë civile kemi pasë nevojë për të dhëna nga komuna me qëllim të zbatimit të projekteve apo fushatave të ndryshme, sigurimi i tyre  ka qenë tejet i vështirë dhe shpesh i pamundur. Asnjë nga autoritetet komunale të sipërpërmenduara nuk e kanë mundësuar një gjë të tillë për shkak të definimit të paqartë të kompetencave komunale. Por, pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat e veriut në vitin 2013, komunikimi dhe bashkëpunimi ndërsektorial në mes të qeverisjes lokale dhe organizatave të ndryshme është lehtësuar duke mundësuar realizimin e këtyre projekteve.

Edhe vështirësi të tjera kanë qenë evidente në realizimin e këtyre projekteve. Në bashkëpunimin tim me organizata të ndryshme partnere dhe komunat në veri më është nevojitur të shfrytëzoj romingun për të komunikuar me kolegë apo organizata në komunat  me shumicë serbe mbi lumin Ibër. Rrjedhimisht, kostoja e komunikimit përmes telefonisë ka qenë tejet e lartë si për individë të angazhuar në sektorë të ndryshëm ashtu edhe për qytetarë të rëndomtë. Deri para pak kohësh, qytetarët e veriut, duke përfshirë edhe qytetarët  shqiptarë që jetojnë në atë pjesë që kanë shfrytëzuar shërbimet e operatorëve Ipko dhe Vala, telefonat e tyre kanë operuar në roming në veri të lumit Ibër duke rritur në masë drastike çmimet e shërbimeve të telefonisë mobile. Kësisoj komunikim përmes telefonisë mobile nga komunat mbi lumin Ibër në pjesë të tjera të Kosovës ka kushtur aq sa kushtonte komunikimi i tillë me shtete të tjera. Për këtë arsye, unë dhe shumica e qytetarëve të tjerë jemi munduar që t’i shmangemi komunikimit me telefon nga territori i katër komunave mbi lumin Ibër. Kjo qështje dhe shumë të tjera në të kaluarën kanë krijuar një hendek të thellë në mes të veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës.

Marrëveshja fillestare për telekomin është arritur në vitin 2013. Në vitin 2015 palët dialoguese kanë arritur marrëveshje për planin e veprimit mbi këtë marrëveshje. Në vitin 2016, palët dialoguese kanë arritur marrëveshjen e fundit për zbatimin e marrëveshjeve paraprake për telekomin. Marrëveshja ka sjellë lehtësira në komunikim përmes telefonisë mobile në katër komunat mbi lumin Ibër. Në këtë aspekt, për qytetarët që jetojnë në rajonin e Mitrovicës janë ulur shpenzimet e telefonisë duke mundësuar komunikim me kosto të njëjtë në gjithë Kosovën. Lehtësirat e lartëpërmendura në fushën e telekomunikimit kanë ndikuar pozitivsht në rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit mes qytetarëve të katër komunave mbi lumin Ibër, me qytetarët që jetojnë në pjesë të tjera të Kosovës.

Marrëveshjet që kanë ndihmuar pajisjen e Serbëve të Kosovës me dokumente civile dhe patentë shoferë të Kosovës kanë pasë gjithashtu një ndikim pozitiv. Falë këtyre marrëveshjeve tani kemi rritje dhe zgjerim të bashkëpunimit ndëretnik dhe integrim më të madh mes komuniteteve, duke rezultuar edhe me kolektive punonjësish me shqipëtarë, serbë dhe të tjerë në rajonin e Mitrovicës. Përveç dokumenteve identifikuese, pjesëtarët e komunitetit serb janë pajisur me patentë shoferë të Kosovës gjë që siguron lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e tyre me automjete në tërë Kosovën. Bashkëpunëtorët e mi nga komuniteti serb kanë regjistruar automjetet e tyre te autoritetet përkatëse të Kosovës dhe udhëtojnë në gjithë Kosovën, duke lehtësuar ndërtimin e urave të bashkëpunimit.

Kur flasim për lëvizjen e lirë, kujtoj përvojat në realizimin e projekteve të ndryshme të shkëmbimit të studentëve mes Kosovës dhe Serbisë. Studentët kosovarë të cilët ishin pjesëmarrës të këtyre projekteve kanë hasur në shumë vështirësi për të hyrë në Serbi. Ne si organizatorë së bashku me këta studentë kemi pritur me orë të tëra për të iu nënshtruar procedurave verifikuese. Këto procedura verifikuese kanë përfshirë jo vetëm studentët, por edhe përfaqësuesit e insitucioneve e organizatave ndërkombëtare që kanë financuar projektet në fjalë. Autoritetet serbe lejonin hyrjen studentëve dhe organizatorëve në Serbi atëherë kur ambasadat ndërkombëtare ndërhynin në mënyrë diplomatike për të mbështetur udhëtimin e tyre në Serbi.

Me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë në dhjetor të vitit 2011, këto vështirësi janë tejkaluar deri në një masë. Kjo marrëveshje parasheh mundësimin e lëvizjes së lirë me dokumente civile të autoriteteve të secilës palë. Tani pjesëmarrësit e programeve të tilla të shkëmbimeve, sikurse edhe qytetarët e rëndomtë të pajisur me dokumente të Kosovës, mund të udhëtojnë për në Serbi. Megjithatë, qytetarëve të Kosovës të cilët udhëtojnë me automjete me targa të Kosovës për në Serbi iu nënshtrohen procedurave administrative për t’u pajisur me targa të përkohshme dhe sigurim të automjetit, që si pasojë krijojnë pritje të gjata. Kam dëgjuar shumë pakënaqësi të qytetarëve sa i përket pritjeve në radhë për të bërë pagesën e targave të përkohshme tek autoritetet policore të Serbisë, marrjen e lejes për hyrje-dalje dhe procedura të tjera.

Vështirësi më të mëdha hasin qytetarët të cilët posedojnë targat e Kosovës “RKS”. Qyetarët të cilët posedojnë targa të tilla duhet të zëvendësojnë targat “RKS” me targa të përkohshme të shtetit serb.  Kjo procedurë kërkon pritje në radhë dhe pagesë të targave të përkohshme. Në jetën e përditshme kam hasur në qytetarë të cilët më kanë treguar se iu është dashur të ndërrojnë targat e automjeteve nga “RKS” në “KS”, në mënyrë që të kenë udhëtim me më pak pritje dhe me kosto më të lirë.

Sido që të jetë, vlenë të theksohet që marrëveshja për lëvizjen e lirë, përkundër gjithë këtyre procedurave, u ka mundësuar qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë për në Serbi, apo përmes saj. Kjo ka lehtësuar edhe udhëtimin e mërgimtarëve kosovar të cilët ende janë shtetas të Kosovës. Ata udhëtojnë për në Kosovë dhe anasjelltas përmes Serbisë.

Përkundër këtyre përfitimeve nga zbatimi i marreveshjeve të dialogut teknik Kosovë-Serbi, mendoj që procesi i dialogut duhet të jetë më transparent për qytetarët, duke artikuluar marrëveshjet e arritura dhe efektet që këto marrëveshje kanë në jetën e tyre. Takimet informuese dhe konsultative me qytetarë dhe shoqërinë civile duhet të jenë të vazhdueshme përgjatë gjithë procesit. Gjithashtu, është e nevojshme të thjeshtësohet gjuha e përdorur në marrëveshje dhe të informohen qytetarët me anë të fushatave informuese. Në këtë mënyrë qytetarët do kuptonin më mirë të gjithë bazën e marrëveshjeve, e në veçanti aspektet pozitive të cilat drejtpërsëdrejti ua lehtësonjnë jetën atyre.

Ky publikim është botuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.