26 shkurt 2020 – Grupi për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi mbajti një konferencë më 26 shkurt në Qendrën Mediale të Beogradit, ku u prezantua broshura me artikuj mbi dialogun teknik midis Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga BE-ja. Botimi është një përmbledhje artikujsh që analizojnë përfitimet e marrëveshjeve teknike midis Beogradit dhe Prishtinës.
Në fillim, kryetarja e Fondit për Përsosmëri Politike në Beograd, Sonja Licht, theksoi se botimi tre-gjuhësh synon të sjellë dialogun më afër qytetarëve, të cilët ende kanë nevojë për të. Sipas Licht, qëllimi i projektit është të ndihmojë qytetarët nga të dy komunitetet të kuptojnë se çfarë po prekë vërtet jetën e tyre, dhe se si marrëveshjet, nga ato që lidhen me sektorin e energjisë deri tek ato që lehtësojnë bashkëpunimin rajonal, mund të ndryshojnë jetën e tyre të përditshme.
Ajo përmendi artikullin e një anëtari të komunitetit Rom nga Mitrovica që përshkruan se sa e vëshirë ishte për atë nxjerrja e dokumenteve bazike para marrëveshjes.
Artikujt e KSPAG-ut, të botuar gjatë periudhës prej një vit e gjysmë në media të ndryshme në Kosovë dhe Serbi, nxorën në pah efektin që marrëveshjet teknike kanë pasur mbi qytetarët, si dhe arritjet e dialogut teknik në normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve.
Autorët – qytetarë dhe ekspertë nga Serbia dhe Kosova, kanë ndarë pikëpamjet dhe përvojat e tyre personale mbi rezultatet pozitive të një numëri marrëveshjesh për dialog teknik. Njëra prej tyre ishte Jovana Radosavljevic, nga OJQ-ja Nisma e Re Sociale, nga Mitrovica e Veriut, e cila ishte e pranishme në publikimin e broshurës.
Duke folur për marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, Radosavljeviç theksoi se para vitit 2011 ishte e vështirë të udhëtosh brenda Kosovës apo Serbisë, por sot konteksti ka ndryshuar sepse ekzistojnë institucione dhe bashkëjetesa është duke u promovuar.
Sidoqoftë, ajo tha se ka ende sfida me targat dhe lëshimin e dokumenteve dhe pasaportave për serbët në Kosovë. “Ne ende shohim disa çështje të vogla teknike dhe probleme që prekin jetën e njerëzve”, tha ajo.
Redaktori i portalit European Western Balkans, Nikola Burazer, i cili shkroi tekstin për marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës, deklaroi se takimet e paplanifikuara të liderëve të Serbisë dhe Kosovës dhjetë vjet më parë u pasuan me polemikë, dhe sot gjërat kanë ndryshuar . “Sot, është normale që politikanët të takohen”, tha Burazer.
Në konferencë, botimi i iu dorëzua përfaqësuesve të OJQ-ve, institucioneve, individëve dhe mediave të ndryshme.
Ky aktivitet dhe publikim u mundësuan me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij aktiviteti dhe publikimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqesë pikëpamjet e Bashkimit Evropian.