Agon Ramizi
I.
Festivali më i madh i muzikës në Ballkan e një ndër më të mëdhenjtë në Evropë, me emrin Exit, organizohet çdo vit në kalanë e Petrovaradinit, në Novi Sad të Serbisë. Vitin e kaluar, festivali ka arritur të mbledhë rreth 300 mijë pjesëmarrës, ku kishin performuar artistë si Wiz Khalifa, The Prodigy, Ellie Goulding, David Guetta, e të tjerë. Pjesëmarriësit vinin nga rreth 60 vende të botës, padyshim edhe shumë të rinj nga Kosova, të cilët si për një rastësi të paparë, kur kanë kaluar pikëkalimet kufitare me Serbinë janë pajisur më një letër që njihet si Entry-Exit. Ky është dokumenti i përkthyer si “hyrje-dalje”, për të cilin Prishtina e Beogradi ishin pajtuar në kuadër të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë në vitin 2011. Qytetarët Kosovarë që e kalojnë kufirin me Serbinë duhet me vete të kenë letërnjoftim, si edhe të pajisen më një dokument të tillë, i cili merret në hyrje dhe është valid për tre muaj. Ironikisht, kjo është një para-biletë hyrëse edhe për festivalin Exit.
Është interesante se me letërnjoftim dhe këtë “letër”, qytetarët e Kosovës, mund të fluturojnë edhe nga aeroportet e Beogradit dhe Nishit. Natyrisht pasaportën dhe vizën për vendet e treta duhet ta kenë me vete edhe pse autoritet në Serbi nuk iu kërkojnë atë.
Sado që tingëllon e komplikuar, kjo është shumë më mirë sesa që ishte para vitit 2011 apo para Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë, ku hyrja apo kalimi në Serbi lejohej vetëm me dokumente të ish-Jugosllavisë, të cilat shumë pak qytetarë të Kosovës i posedonin edhe atë vetem në vitet e para të pas luftës. Si rezultat, numri i qytetarëve të Kosovës që kanë përfituar nga kjo marrëveshje është shumë i madh. Kjo ka kontribuuar në lehtësimin e jetesës së qytetarëve dhe në një lloj “normalizimi”, për të cilin edhe është zhvilluar dialogu siç thërret Rezoluta e OKB-së, nga ku e ka pikënisjen ky proces.
Shtojmë këtu edhe përfitimin ekonomik, ngase përdorimi i Serbisë si vend tranzit për në destinacionet tjera evropiane, ka shkurtuar distancën dhe ka ulur koston e udhëtimit. Për shembull, për një udhëtim nga Kosova (Prishtina) në Gjermani (Berlin) nëpërmjet Serbisë, distanca është 1747 kilometra, ndërsa përmes Shqipërisë distanca është 2075 dhe përmes Kroacisë-Malit të Zi distanca është 2168 kilometra. Pra, rreth 650 km më pak, më pak shpenzime karburanti, më pak shpenzime për akomodim në hotele e taksa rrugore apo edhe bileta të aeroplanit.
Marrë parasysh diasporën e madhe të Kosovës, shuma e kostos për një vit i arrinë milionat. Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, në vitin 2011 (para marrëveshjes) rreth 650 mijë hyrje-dalje të diasporës ishin regjistruar në kufitë me Serbinë. Në vitin 2016 ky numër kishte shkuar në mbi 1.5 milion, ose 230%. Poashtu, sipas këtyre të dhënave, rritje për mbi 200% ka shënuar edhe numri i kalimeve të qytetarëve nga Kosova në Serbi, e që në vitin 2015 ky numër shkoi në gati 4 milion hyrje-dalje të qytetarëve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Një segment tjetër i kësaj marrëveshje është edhe kalimi me vetura. Patentë-shoferët e Kosovës, si edhe polisat e sigurimeve, tani njihen në Serbi. Targat KS lejohen, për dallim nga ato RKS të cilave u duhet të ndërrohen me targa provuese.
Duke qenë se Prishtina e kishte vazhduar përdorimin e tabelave KS, kjo krijoi lehtësi, sidomos për shumë qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë;sipas një hulumtimi të NGO Aktiv, të publikuar rishtazi, rreth 87.20% e respondenteve nga komuniteti serb në Kosovë janë pajisur me dokumente personale të Kosovës. Kjo ka mundësuar një normalizim, kur dihej se më parë gjendja në këtë fushë ishte kaotike. Kishte përdorim të veturave pa tabela dhe të pa siguruara, një numër i të cilave për fat të keq ende vazhdojnë të qarkullojnë në komunat veriore të Kosovës.
II.
Pritjet e qytetareve janë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të ecin drejt Bashkimit Evropian. Atëherë më s’do të ketë kalime kufitare, e as dogana. Njerëzit, veturat dhe mallrat do të kalojnë pa u ndaluar gjatë kalimit nga një vend në tjetrin. Ata që do të shkojnë në Exit nga Kosova do të jenë shumë, e poaq do të vijnë nga Serbia në Dokufestin e Prizrenit. Deri atëherë, dy qeveritë duhet të mundohen më shumë dhe angazhohen më sinqerisht që të normalizojnë dhe “evropianizojnë” marrëdhëniet. Tek e fundit, siguria, punësimi dhe lëvizja e lirë janë shumë të rëndësishme për qytetarët e të gjitha vendeve tona.
I mbetet Bashkimit Evropian që, përkundër sfidave të brendshme, të ofrojë përshpejtim të procesit të anëtarësimit të të gjitha vendeve të rajonit. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë nevojitet përshpejtim i implementimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik. Prandaj palët duhet të ulen në tavolinë e të pajtohen për avancimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura siç janë marrëveshja për bashkëpunim rajonal, ose edhe ajo për njohje reciproke të diplomave universitare, por edhe për arritjen e marrëveshjeve të reja që do të mundësonin normalizim të plotë marrëdhënieve mes dy shoqërive.
Ky publikim është botuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë – Serbi, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.