Ngarkesë toksike, transportim i sigurt – Efektet e zbatimit të Marrëveshjes mbi Certifikatat ADR

Lulzim Krasniqi

Marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave ADR (25 prill 2016) në mes të Kosovës dhe Serbisë, e arritur në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, ka kontribuar në lëvizjen e lirë të mallrave të rrezikshme dhe ka lejuar operimin ekonomik të kompanive kosovare që punojnë në këtë sektor, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Certifikata ADR (Accord Dangereux Routier – Marrëveshja Evropiane lidhur me transportin ndërkombëtar të mallrave të rrezikshme përmes transportit rrugor) është një dokument për shoferë dhe automjete që transportojnë materiale të rrezikshme, ku përfshihen hidrokarburet, si dhe materialet nga industria kimike dhe minerare.

Materialet e rrezikshme zënë një vend të rëndësishëm në vëllimin e përgjithshëm të tregtisë së Kosovës. Prandaj, kjo certifikatë është një dokument i nevojshëm për të vërtetuar se automjeti transportues i plotëson standardet më të larta teknike dhe të sigurisë për transportimin e materialeve të rrezikshme në mënyrë të sigurt.

Njohja e marrëveshjes së certifikatave ADR është në përputhje me parimet e CEFTA-s dhe mundëson lëvizjen e lirë të materialeve të rrezikshme mes Kosovës dhe Serbisë bazuar në Konventën e ADR-së.

Para marrëveshjes, transportuesit e Kosovës përballeshin me sfida dhe shpesh u ndalohej transportimi i materialeve të rrezikshme përmes Serbisë ose vendeve të tjera të treta. Mehdiu, një shofer kamioni i një kompanie transportuese private nga Kosova, i zënë në rrugë nga vendimi, kujton: “Isha në rrugën time të zakonshme dhe u ndala në një restorant …; dy policë hynë, pyetën për kamionin jashtë. Pas kontrollit, më thanë se nuk i kam të gjitha dokumentet e nevojshme. Isha i befasuar … Kam pritur disa orë, por më në fund më lejuan të shkoj”.

Certifikata ADR, që lëshohet në Kosovë, është një dokument në përputhje me Traktatin e OKB-së për ADR  dhe standardet ndërkombëtare dhe evropiane për siguri në transportin rrugor të materialeve të rrezikshme. Megjithatë, para kësaj marrëveshjeje, cisternat e kompanive kosovare ishin të kufizuara në transportimin e materialeve të rrezikshme nga dhe përmes Serbisë, gjë që shkaktoi humbje të konsiderueshme financiare për kompanitë dhe si përgjigje, Kosova refuzoi njohjen e certifikatave serbe. Ndonëse palët nuk arritën ta zgjidhnin këtë gjë brenda CEFTA-s, marrëveshja u mundësua me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel.

Njohja reciproke e certifikatave ADR është një mbështetje për komunitetin e biznesit në sektorin e materialeve të rrezikshme. Heqja e barrierave të biznesit mbështetë përmirësimin e mjedisit afarist, nxitë tregtinë, krijon një ekosistem të përshtatshëm për bërje të biznesit dhe është nxitje për investime të drejtpërdrejta ndërkombëtare, duke i kontribuar kështu rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Në Raportin vjetor Bërja e Biznesit 2019 të Bankës Botërore, Kosova renditet e 44-ta, që në krahasim me pozitën e saj të 126-të në vitin 2012, është përmirësim i dukshëm.

Me marrëveshje, palët angazhohen për lëvizje të lirë të mallrave, përfshirë mallrat e rrezikshme, pa pengesë dhe në përputhje me standardet evropiane, duke pranuar reciprokisht të gjitha standardet evropiane për transportimin e mallrave të rrezikshme. Ky angazhim nuk ndikon në detyrimet ndërkombëtare të secilës palë.

Tri vjet më vonë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës nuk ka raportuar për pengesa në zbatimin e marrëveshjes. Organizatat e shoqërisë civile, si KDI, gjithashtu kanë konfirmuar zbatimin e marrëveshjes.

Mehdiu, shoferi i zënë në mes të “përplasjes për certifikata” mes dy autoriteteve, tani është në pension. Pasardhësi i tij i ri, Bedriu, i cili sapo ka filluar të punojë si shofer kamioni, thotë: “Është lehtësim për mua kur di që të gjitha dokumentet janë në rregull dhe jam i lirë t’i shpërndaj mallrat; mund të shkoj të njëjtës rrugë rregullisht dhe në mënyrë të sigurt. Jam shofer i ri dhe kjo më përshtatet më mirë”.

Një pronar i një kompanie të gazit në Kosovë tha: “U bënë dymbëdhjetë vjet që e kam biznesin tim. Kam konsumatorë të rregullt që dua t’i mbajë të kënaqur me shërbimet e mia. Gjatë bllokadës kam pasur vështirësi në përmbushjen e kërkesave të konsumatorëve të mi, deri në pikën që besueshmëria e kompanisë sime është rrezikuar. Është mirë të dimë që ky segment i biznesit tonë është i rregulluar dhe ndihemi të lirë të bëjmë biznes jashtë Kosovës, gjithashtu përmes Serbisë”.

Sipas Kodit të Tarifave të Kosovës (HS-10) 2019, Kosova ka importuar mallra të rrezikshme nga Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Austria, Belgjika, Danimarka, Mbretëria e Bashkuar, Estonia dhe madje edhe nga Kosta Rika. Megjithatë, institucionet duhet të informojnë kompanitë në mënyrë më sistematike dhe të bashkëpunojnë me ato dhe me transportuesit mbi rregullat dhe detyrimet e ADR-së. Informimi i kompanive do ta nxisë më tej trendin aktual të shkëmbimit tregtar të Kosovës me vendet e tjera.

Lulzim Krasniqi është ekspert në çështjet evropiane. Ka përvojë të gjerë në politika publike, zhvillimin e qëndrueshëm, reformën ekonomike dhe mundësimin e mjedisit afarist. Krasniqi ka punuar në shumë projekte në organizata publike, private, ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile.

Ky artikull është prodhuar me ndihmën financiare të Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë dhe të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë – Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pasqyrojë pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë apo të Bashkimit Evropian.