30 tetor 2019 – Grupi për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi (KSPAG) në bashkëpunim me Institutin për Analiza të Politikave (I4PA) kanë mbajtur në Kamenicë punëtorinë e katërt në kuadër të aktiviteteve që promovojnë dhe komunikojnë arritjet e dialogut teknik. “Punëtoria ka për qëllim që me OJQ-të lokale nga Kamenica të diskutojë mbi përfitimet e dialogut teknik Kosovë-Serbi” theksoi Dea Gecaj, Drejtoreshë Ekzekutive e I4PA-së. “Këto punëtori shërbejnë si mundësi përmes të cilave pjesëmarrësit shkëmbejnë përvojat e tyre nga përfitimet e deritanishme nga dialogu teknik, si dhe pikëpamjet dhe pritjet e tyre nga ky proces”, vazhdoi ajo.
Panelistët folën për marrëveshjet e arritura deri më tani, implementimin e tyre si dhe përfitimet e qytetarëve nga këto marrëveshje. Gazmir Raci, ekspert i dialogut, shpjegoi marrëveshjet e dala nga dialogu teknik dhe foli mbi shkallën e implemetimit të tyre. Ai vuri theks të veçantë në Marrëveshjen për Menaxhim të Integruar të Kufirit (IBM), e cila u mundëson qytetarëve nga Kosova e Serbia të kalojnë kufirin më me lehtësi dhe në më shumë pikëkalime, gjë që para marrëveshjes paraqiste një sfidë.
Zyrtari për Politika në Grupin për Ballkan, Abdullah Ferizi, shpjegoi projektin e KSPAG-ut dhe nevojën promovimit dhe komunikimit të përfitimeve të dialogut teknik.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e veçantë të dialogut teknik dhe nevojën e përkushtimit më të madh politik për implementimin e marrëveshjeve të arritura. “Kemi të bëjmë me një proces shumë të ndërlikuar. Unë mendoj se ne si qytetarë duhet t’i përmirësojmë marrëdhëniet mes komuniteteve në mënyrë që të krijojmë një ambient më të mirë të jetesës këtu”, u shpreh njëra nga pjesëmarrëset.
Pjesëmarrësit poashtu kritikuan transparencën e komunikimit të dialogut teknik; ata theksuan se gjendja në terren dhe marrëdhëniet ndëretnike janë shumë më ndryshe sesa komunikohet nga institucionet dhe mediat. Në fund të punëtorisë, pjesëmarrësit e OJQ-ve nga rajoni i Kamenicës përgëzuan organizimin e punëtorisë ngase siç u shprehën ata “kjo atyre u mundëson të informohen drejtpërdrejtë me të arriturat e dialogut teknik dhe me procesin në përgjithësi”.
Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë dhe Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqesë pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë apo Bashkimit Evropian.