3 dhjetor 2019 – Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), anëtare e KSPAG, organizoi një tryezë të rrumbullakët me qytetarë dhe përfaqësues të OJQ-ve nga rajoni i Gjilanit. Tryeza e rrumbullakët diskutoi perspektivat dhe rezultatet pozitive nga zbatimi i dialogut teknik. Paneli përfshinte Z. Arbër Ismajli, Nënkryetarin e Komunës së Komunës së Gjilanit, Znj. Jovana Radosavljević, Drejtoreshë Ekzekutive e Nismës së Re Sociale dhe Z. Allen Meta nga D4D.
Z. Ismajli tregoi për rezultatet e dialogut teknik dhe bëri një krahasim midis komunave në Veri të Kosovës me komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë. Ai sugjeroi që dialogu teknik ka ndikuar ndryshe në jetën e atyre që jetojnë në Veri dhe të atyre që jetojnë në komuna të tjera në Kosovë. Ai dha një shembull të komunave të Parteshit dhe Ranillugut ku qytetarët kanë një këndvështrim tjetër në lidhje me dialogun teknik.
Znj. Radosavljević nga ana tjetër, dha perspektivën nga veriu i Kosovës duke theksuar përfitimet e dialogut teknik. Ajo theksoi që marrëveshja për telekomunikacionin ka dhënë përfitime të mëdha për qytetarët në Veri, veçanërisht ato nga komuniteti serb. “Marrëveshja për lirinë e lëvizjes ka qenë e një rëndësie të madhe për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë për në Serbi dhe për qytetarët serbë që udhëtojnë në Kosovë”, pohoi znj. Radosavljević. Sipas pikëpamjes së saj personale ishte e paimagjinueshme të udhëtosh në Gjilan nga Veriu i Kosovës me makinë, por tani kjo është bërë e mundur fal marrëveshje.
Z. Meta nga Demokracia për Zhvillim, gjithashtu një organizatë anëtare e KSPAG, prezantoi një përmbledhje të qëllimit të projektit dhe aktiviteteve të tij. Ai renditi një numër përfitimesh pozitive nga fusha të ndryshme të dialogut teknik, duke përfshirë lirinë e lëvizjes, telekomunikacionin dhe njohjen e diplomave. Ai pranoi se ka shumë sfida për zbatimin e marrëveshjeve, megjithatë duke e shikuar nga perspektiva e ndikimit në jetën e qytetarëve, të dy palët kanë përfituar gjerësisht.
Pjesëmarrësit e tryezës, veçanërisht përfaqësuesit e OJQ-ve, theksuan mungesën e transparencës së procesit të dialogut. Ata deklaruan rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e dialogut teknik për të ofruar pikëpamjet e tyre për çështjet më të rëndësishme për qytetarët. Ata mirëpritën organizimin e aktivitetit pasi u jep atyre një mundësi për të marrë më shumë informata mbi përfitimet e dialogut teknik, si dhe shprehën shqetësimet e tyre për zbatimin e marrëveshjeve.
Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë dhe Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqesë pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë apo Bashkimit Evropian.