18 qershor 2019 – Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut, YUCOM, si anëtar i Grupit të Avokimit të Politikave Kosovë – Serbi, mbështetur nga Bashkimi Evropian, më 18 qershor 2019, në Shtëpinë e të Drejtave të Njeriut dhe Demokracisë në Beograd, organizoi seminarin për Dialogun e Brukselit “Ndikimi i marrëveshjeve teknike mbi sundimin e ligjit dhe sigurinë në proces për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës “.
Seminari, i organizuar në kuadër të projektit Promovimi dhe Komunikimi i Benefiteve të Dialogut Kosovë-Serbi, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mblodhi gazetarë dhe hulumtues serbë dhe shqiptarë nga organizata dhe shoqëria civile, që punojnë në Serbi dhe Kosovë, për të diskutuar me ekspertët mbi progresin që është bërë në fushën e marrëveshjeve teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, ndikimin që marrëveshjet kanë në jetën e qytetarëve dhe pasojat e sundimit të ligjit, sigurisë dhe marrëdhënieve rajonale.
Duke vlerësuar se çfarë është bërë deri tani në zbatimin e marrëveshjeve teknike, Isidora Stakic, nga Qendra e Beogradit për Politikën të Sigurisë, tha:
“Thelbi i marrëveshjeve teknike midis Beogradit dhe Prishtinës është të përmirësojë marrëdhëniet dhe jetën e qytetarëve, por vetëm një numër i vogël i këtyre marrëveshjeve janë zbatuar plotësisht, disa pjesërisht ndërsa shumica e tyre kanë sfida në zbatimin e tyre“, tha Stakic.
Duke folur për marrëveshjen e drejtësisë, Jovana Spremo, nga YUCOM – Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, përmendi se në raportet e progresit të Komisionit Evropian, për Serbinë dhe Kosovën, u theksua zbatimi formal i plotë i marrëveshjes së drejtësisë, por u shpreh shqetësimi rreth marrëveshjeve që lidhen me sundimin e ligjit, siç janë marrëveshja për kadastër dhe njohja e diplomave universitare, ku u theksua se ato duhet të ringjallen dhe të zbatohen.
Spremo tha se qëllimi i marrëveshjes së drejtësisë ishte t’ju ofrojë serbëve në pjesën veriore të Kosovës qasje në institucionet gjyqësore që veprojnë në sistemin e Kosovës dhe të rivendosin besimin në institucionet.
“Përfitimi i menjëhershëm i marrëveshjes është që gjyqtarët dhe prokurorët serbë mund të vazhdojnë të punojnë në sistemin e Kosovës, ndërsa qytetarët kanë qasje në institucionet gjyqësore në mënyrë të pandërprerë, nuk kanë nevojë të mendojnë më se cilat gjykata duhet të adresojnë dhe rastet e tyre trajtohen në gjuhën e tyre“, tha ajo.
Spremo tha se kishte sondazhe që tregonin se qytetarët nuk janë të kënaqur, por nga ana tjetër numri i atyre që kërkojnë qasje në drejtësi është rritur.
Sipas Bojan Elek, nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, integrimi i policisë ka filluar ngadalë që nga 2014, duke përfshirë shpërbërjen e strukturave të MUP-it, pastaj rekrutimin e ish-anëtarëve dhe trajnimin.
“Policia e Kosovës është institucioni me praninë më të lartë të komunitetit serb në Kosovë – me mbi 12%, ndërsa në pjesën veriore të Kosovës ky numër është më shumë se 90%“, tha Elek, duke shtuar se Policia e Kosovës ka zhvilluar dygjuhësinë, por problemi është se nuk ka plan formal të mësimit të gjuhës.
“Kjo ka çuar në përfaqësimin më të vogël të serbëve në pozita të larta në polici, siç është policia kriminale, sepse pozita të tilla kërkojnë njohuri të specializuara që serbët në komunitetet më të vogla nuk mund të marrin“, tha Elek.
Në anën tjetër Sofija Todoroviç, nga BIRN Serbia, përveç informatave rreth progresit në zbatimin e marrëveshjeve, prezantoi mundësitë dhe qasjet për gazetarët në verifikimin e informacioneve në mënyrë që të informojë qytetarët në mënyrën më objektive.
“Gazetarët e BIRN-it nga Kosova dhe Serbia po punojnë në ekipe kur diskutojnë tema me interes të përbashkët. Mund të jetë një mundësi e njëjtë për ju që të lidheni për të kontrolluar informacionin e dhënë rreth ngjarjeve që ndërlidhen me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës“, tha Todoroviç.
Rreth 25 gazetarë dhe hulumtues nga organizatat e shoqërisë civile nga Beogradi, Novi Pazari, Nishi, Leskovci, Bujanoci, Prishtina dhe Mitrovica Veriore thanë se marrëveshjet teknike janë të rëndësishme për përmirësimin e jetës së qytetarëve, por gjithashtu u vënë në dukje problemet praktike në zbatimin e tyre.
“Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e bën jetën më të lehtë për qytetarët, por ende ka disa probleme në pikat e kalimit, veçanërisht gjatë sezonit të verës“, theksuan disa gazetarë.
Ata më tej shtuan se “njerëzit nga të dyja vendet duhet të jenë të përgatitur për dialog dhe rezultatet e tij“.
Pjesëmarrësit e seminarit thanë se publiku nuk është informuar siç duhet për përfitimet e Dialogut të Brukselit dhe theksuan nevojën për bashkëpunim midis gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile në procesin e monitorimit të zbatimit të marrëveshjeve teknike.
Ky Seminar është pjesë e aktiviteteve të parashikuara në projektin “Promovimi dhe Komunikimi i Përfitimeve të Dialogut Prishtinë – Beograd”, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe nga i zbatuar nga KSPAG.
Kjo seminar është organizuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosove-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.