12 dhjetor 2019 – Tryeza e rrumbullakët e radhës e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi (KSPAG) u organizua nga Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D) në Pejë më 12 dhjetor 2019. Gjatë kësaj tryeze, ku morrën pjesë të rinjtë nga Komuna e Pejës, u diskutuan përfitimet e dialogut teknik.
Në fjalën e tij hyrëse, z. Allen Meta nga Demokracia për Zhvillim (D4D) dha një përmbledhje të projektit dhe foli për përpjekjet e konsorciumit të KSPAG për të informuar qytetarët rreth dialogun teknik. Ai shtjelloi gjerësisht marrëveshjet e arritura gjatë dialogut teknik midis Prishtinës dhe Beogradit dhe se si këto marrëveshje ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.
Nga ana tjetër, znj Donika Marku nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS) dha një përmbledhje të studimeve që kjo qendër ka zhvilluar në Kosovë mbi dialogun teknik dhe argumentoi për rëndësinë e informimit objektiv për marrëveshjet dhe përfitimet e tyre. Bazuar në të dhënat e hulumtimit, ajo theksoi nivelin e ulët të informimit të qytetarëve për marrëveshjet e dialogut teknik.
Z. Sebastian Merdita nga Forumi për Integrim dhe Zhvillim shpjegoi përfitimet konkrete për qytetarët e sjellë nga dialogu teknik. Ai u përqendrua në shembuj nga marrëveshja për lirinë e lëvizjes, telekomunikacionin dhe njohjen e diplomave.
Pjesëmarrësit nga ana tjetër, theksuan rëndësinë e informatave të ofruara nga panelistët dhe u pajtuan me perspektivën pozitive të dialogut teknik, megjithatë ata insistuan në mungesën e transparencës si faktorin kryesor për mungesën informimit të tyre mbi procesin teknik të dialogut dhe rezultatet e tij.
Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë dhe Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqesë pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë apo Bashkimit Evropian.