26-27 Mars 2019 – Grupi për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi mbajti takimin e dytë të Komitetit Drejtues për të harmonizuar planin dhe aktivitetet e zbatimit të projektit ” Promovimi dhe komunikimi i benefiteve të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Qëllimi është të komunikojë benefitet e dialogut teknik për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë te publiku i gjerë dhe tek audienca specifike.
Fondi i Beogradit për Ekselencë Politike ishte nikoqir i takimit dy ditor me drejtuesit e OJQ-ve partnere dhe ekipin e menaxhues të projektit ku diskutuan për aktivitetet e zbatuara gjatë periudhës së pesë muajve të pare të projektit. Anëtarët e komitetit drejtues diskutuan përmbajtjen, strukturën e aktiviteteve dhe komunikimin sipas planit të veprimit të projektit.
Ekipi i menaxhues i projektit azhurnoi aktivitetet e ardhshme të parapara me planin e zbatimit të projektit. Aktivitetet përfshijnë opinione të ekspertëve mbi dialogun teknik, tryeza të rrumbullakëta me pjesëmarrje lokale dhe rajonale të grupeve të interesit, hulumtime mbi perceptimin e qytetarëve, seminare dhe punëtori për të stimuluar debatin dhe për të ngritur mirëkuptimin.
Grupi për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi u krijua në fillim të vitit 2018, si një mjet për të sfiduar narrativat në nivel shoqëror dhe për të ndihmuar politikëbërësit që të arrijnë marrëveshje në mënyrë më transparente. Konsorciumi përbëhet nga tetë OJQ të të njëjtit mendim: Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), Instituti Demokraci për Zhvillim D4D, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), dhe OJQ AKTIV nga Kosova; dhe nga Serbia, Fondi i Beogradit për Ekselencë Politike BFPE, Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BSCP), Lëvizja Evropiane në Serbi (EMinS) dhe Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM).
Mbledhja e Komitetit Drejtues është organizuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosove-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.