4 dhjetor 2019 – Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), anëtar i Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi (KSPAG) organizoi një tryezë të rrumbullakët lokale me komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Ferizaj më 04 dhjetor 2019.
Tryeza e rrumbullakët kishte për qëllim të përfshijë komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane në një diskutim mbi përfitimet e dialogut teknik dhe të kuptojë perspektivën e tyre mbi dialogun teknik. Paneli i tryezës përbehej prej Z. Asllan Kryeziu dhe Z. Bajram Bajrami – të cilët ishin të përfshirë direkt në dialog me Qeverinë e fundit të Kosovës, dhe Z. Bajram Ilazi, Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së BRAN.
Diskutimi paraqiti një numër përfitimesh që rrjedhin nga dialogu i lehtësuar nga BE që prekin jetën e këtyre komuniteteve. Janë dhënë shembuj pozitivë nga marrëveshjet për lirinë e lëvizjes dhe regjistri civil. Panelistët pranuan përfshirjen e kufizuar të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në procesin e dialogut. Megjithatë, ata shpjeguan përpjekjet e përfaqësuesve të komuniteteve për përfshirjen e tyre në proces.
Pjesëmarrësit shprehën shqetësimin e tyre për mungesën e transparencës së procesit të dialogut dhe mungesën e informacionit në lidhje me rezultatet e tij. Ata shfrytëzuan mundësinë për të adresuar pyetje në lidhje me përfitimet konkrete të dialogut për komunitetet e tyre dhe mundësinë e përfshirjes së tyre më të mirë në proces.
Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë dhe Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqesë pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë apo Bashkimit Evropian.