6 dhjetor 2019 – Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D), anëtarë i Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi (KSPAG) nga data 4 deri me datën 6 dhjetor 2019 organizoi aktivitetin Peer to Peer në Prishtinë. Vizita mblodhi 15 të rinj nga Serbia dhe 15 të rinj nga Kosova për të diskutuar dhe shkëmbyer përvojat e tyre mbi përfitimet e dialogut teknik midis Prishtinës dhe Beogradit dhe ndikimin e tij në jetën e qytetarëve.
Vizita përfshiu një takim me përfaqësuesit e Qendrës së Inovacionit në Kosovë (ICK) ku pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë për punën dhe bashkëpunimin e kësaj qendre me qendrat e inovacionit në Serbi. Theksi u vu në atë se si marrëveshjet teknike, veçanërisht ajo e lirisë së lëvizjes mundësuan bashkëpunimin rajonal.
Gjatë ditës së dytë të vizitës, pjesëmarrësit patën rastin të dëgjojnë dy ligjërata. Ligjërata e parë, e dhënë nga Z. Shpetim Gashi, nënkryetar i Këshillit për Qeverisje Gjithëpërfshirëse ishte për perspektivat e ndryshme në lidhje me dialogun teknik, ndërsa ligjërata e dytë nga znj Donika Emini Drejtoreshë Ekzekutiv e Platformës Civikos u përqëndrua në bashkëpunimin organizatave joqeveritare nga Kosova dhe Serbia.
Dita e fundit e vizitës përfshiu vizitë në Mitrovicën Jugore dhe Veriore. Vizita u mbyll në OJQ Aktiv, ku Igor Markoviç foli për sfidat e integrimit të komunitetit serb të Kosovës. Ai argumentoi që marrëveshjet teknike midis Beogradit dhe Prishtinës kanë një ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve. Disa nga përfitimet konkrete për qytetarët, sipas z. Markoviç përfshijnë përmirësimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes dhe përmirësimin e ekonomisë. Pjesëmarrësit gjithashtu vizituan Urën e Ibërit dhe ecën nëpër qendrat e qyteteve.
Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë dhe Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqesë pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë apo Bashkimit Evropian.