7 tetor 2019 – Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM), si anëtar i Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi (KSPAG), organizoi tryezë të rrumbullakët për të diskutuar “Marrëveshjet Teknike dhe Bashkëpunimin ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në temat e Energjisë, Tregtisë dhe Zhvillimit Rajonal”, me qëllim të informimit dhe promovimit të benefiteve të dialogut teknik midis Beogradit dhe Prishtinës.
Tryeza e rrumbullakët mblodhi përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë dhe përfaqësues të Odës Ekonomike të Serbisë. Pjesëmarrësit diskutuan progresin e bërë deri më tani në zbatimin e marrëveshjeve teknike, ndikimin e tyre në qytetarë dhe pasojat që ato kanë në këto tri fusha – energji, tregti dhe zhvillim rajonal.
Duke folur për çështje me interes të përbashkët midis Beogradit dhe Prishtinës, eksperti në politikën ekonomike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare Sreçko Gjukiç, deklaroi se investimet afatgjata në energji ishin të nevojshme në të gjithë rajonin, sepse “energjia është një faktor vendimtar për zhvillimin e mëtejshëm”.
Ai theksoi se menaxhimi i energjisë, konkretisht gazifikimi, është thelbësor për lidhjen e rajonit, dhe mbi të gjitha për bashkëpunimin ekonomik. Gjukiç tha se “nëse rajoni dëshiron të jetë pjesë e BE-së, të paktën duhet të përgjysmojë prodhimin e tij të qymyrit”. “Rajoni ka nevojë për tubacione të mëdha për furnizimin me energji sepse është i rëndësishëm për zhvillimin,” tha Gjukiç.
Duke analizuar zbatimin e marrëveshjes teknike për energjinë midis Beogradit dhe Prishtinës, Gjukiç tha se do të jetë e nevojshme një marrëveshje politike për të zgjidhur të gjitha çështjet.
“Nëse shikojmë nga një këndvështrim teknik dhe ekspert, këto çështje mund të zgjidhen, por nuk ka vullnet politik nga të dyja palët. Duhet të bëhet një analizë e plotë për të kuptuar më mirë se si të përmirësohen çështjet në këtë fushë, sepse ato merren me nevojat më themelore të njeriut. Këto nuk janë çështje të pazgjidhshme, është e mundur që ato të zgjidhen në të ardhmen e afërt” deklaroi Gjukiç.
Kreu i Qendrës për Bashkëpunim Rajonal të Odës Ekonomike Serbe, Aleksandar Radovanoviq, theksoi se problemet në tregti ndikojnë në bashkëpunimin rajonal. “Vendosja e taksës pengon bashkëpunimin dhe ka një ndikim negativ në të dy ekonomitë,” tha ai.
“Bashkëpunimi i ndërmarrjeve të bizneseve nga Serbia dhe Kosova kontribuoi në industrializimin e Kosovës, pasi mbi 55% e importeve nga Serbia ishte lëndë e parë që përdorët për prodhim nga kompanitë kosovare. Pra, vendosja e taksës ka shkaktuar humbje jo vetëm për kompanitë e vogla dhe të mesme në Serbi, por edhe për prodhuesit e Kosovës” tha Radovanoviç.
Sipas tij, odat ekonomike të Serbisë dhe Kosovës po bashkëpunojnë, por në kuadër të projekteve të tjera në Ballkanin Perëndimor. “Shpresojmë që taksa të hiqet sepse të gjithë humbasim,” shtoi ai.
Duke folur për rezultatet në zbatimin e marrëveshjeve të caktuara teknike, Dragisha Mijaçiq, drejtor ekzekutiv i Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial në Serbi, tha se ka pasur përparim në çështjet që lidhen me lirinë e lëvizjes, por mbetet shumë për të bërë.
“Në të gjitha marrëveshjet, ka sfida me zbatimin; për shembull në arsim, dogana, e kështu me radhë, megjithëse këto çështje nuk janë aq të vështira sa çështja e Asociacionit të Komunave Serbe. Marrëveshja e energjisë është ndoshta marrëveshja më e vështirë, e cila nuk është zbatuar ende dhe ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë,” tha ai, ndërsa shtoi se “bashkëpunimi është gjithashtu i nevojshëm në fushën e mbrojtjes së mjedisit, sepse ndotja e ambientit rrezikon të gjithë”.
Mijaçiq theksoi se “ka shembuj të bashkëpunimit të mirë dhe se situata nuk është gjithmonë aq e errët sa prezantohet. Edhe pse ndoshta në një nivel të vogël, por sigurisht ka shenja që njerëzit mund të bashkëpunojnë nëse u jepet mundësia dhe korniza për ta bërë atë.”
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Novi Pazar dhe organizatave të shoqërisë civile kanë kërkuar që mosmarrëveshjet politike midis Beogradit dhe Prishtinës të zgjidhen me qëllim të rivendosjes së një mjedisi të favorshëm të biznesit, duke deklaruar se kompanitë nga rajoni i Novi Pazarit kishin bashkëpunim të mirë tregtar me bizneset kosovare.
Sipas pjesëmarrësve, është e nevojshme të përfshihen qytetarët në zbatimin e marrëveshjeve teknike në mënyrë që të sigurohet një perspektivë për të gjithë, në nivelin lokal dhe rajonal.
Kjo tryezë është pjesë e aktiviteteve të projektit “Promovimi dhe komunikimi i përfitimeve të dialogut Prishtinë – Beograd të lehtësuar nga BE”, dhe implementohet nga KSPAG.
Ky aktivitet u organizua me ndihmën e Bashkimit Evropian. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.